Basketboll

Galloway largohet pa paralajmërim, Peja e gjen shpejtë zëvendësin e tij

Peja ka njoftuar largimin e papritur të lojtarit amerikan Jonathan Galloway, i cili në fakt si duket u largua pa paralajmërim dhe në mënyrë të njëanshme nga detyrimet kontraktuale.

Trajneri i ekipit, Sebastjan Krasovec, dje pas ndeshjes me Prishtinën, shprehu habinë e tij për këtë veprim të papritur të Galloway.

Sot në një deklarim për AsistiOnline.com, zyrtarët e klubit theksuan se nuk kishin obligime të paplotësuara ndaj lojtarit dhe se largimi i tij ishte i njëanshëm.

Aktualisht, Galloway po has në probleme për regjistrim në ekipin e tij të ri.

Në ndërkohë nga KB Peja poashtu njoftuan se klubi maqedonas Pelister ka kontaktuar duke kërkuar dokumentacionin e Galloway për regjistrimin e tij në elitën e basketbollit maqedonas. Megjithatë nga klubi verdhezi kanë bërë të ditur se pa u paguar dëmshpërblimi i duhur, nuk do të lejojnë regjistrimin e tij në ekipin e ri.

Për të mbushur boshllëkun e lënë nga largimi i Galloway, KB Peja ka nënshkruar me lojtarin lituanez Benas Griciunas. Griciunas, i lindur më 27 korrik 1994 në Silute, Lituani, është një qendër me përvojë dhe gjatësi prej 213 cm. Ai ka luajtur në disa ekipe evropiane, duke përfshirë ekipin gjerman Vechta, si dhe ekipet lituaneze: Siauliai, Neptunas, Lietkabelis, pastaj në Poloni tek Lublin, Czarni Slupsk etj.

Me këtë ndryshim në përbërje, KB Peja synon të forcojë skuadrën dhe të kërkojë trofeun e kampionit.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.