Basketboll

FBK ndëshkon tre gjyqtarët për gabime në ndeshjen Peja-Vëllaznimi

Komisioni i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka marrë vendim për ndëshkimin e tre gjyqtarëve të ndeshjes Peja-Vëllaznimi, pas shqyrtimit të ankesës së klubit gjakovar lidhur me gabime në referim.

Në mbledhjen e mbajtur më 7 mars 2025, Komisioni ka konstatuar se treshja e gjyqtarëve nuk ka zbatuar rregullat e lojës në disa raste gjatë ndeshjes, përfshirë edhe mos referimin e një gabimi personal në sekondat e fundit, kur lojtari i Vëllaznimit ishte në tentim për tri pikë. Sipas vendimit të FBK-së, bazuar në incizimet dhe ekspertizën profesionale, është vërtetuar se ky vendim ka ndikuar në rezultatin përfundimtar të ndeshjes.

Si pasojë, FBK ka marrë këto masa ndëshkuese:

Elldin Uglari, gjyqtar kryesor – pezullim për 3 ndeshje
Genc Vitaku, gjyqtar i parë – pezullim për 3 ndeshje
Arian Kera, gjyqtar i dytë – pezullim për 4 ndeshje

FBK ka njoftuar se vendimi hyn në fuqi menjëherë pas publikimit. Sipas rregulloreve të FBK-së, palët kanë të drejtë ankese pranë Komisionit të Arbitrazhit brenda 24 orëve, duke depozituar shumën prej 500 euro. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.