Prishtina mposht Vëllaznimin dhe nis play off-in nga pozita e tretë
Sigal Prishtina ka shënuar fitore në Gjakovë ndaj Vëllaznimit me rezultat 73:94 (27:18, 12:26, 24:27, 10:23), në javën e 28-të të ProCredit Superligës.
Vendasit e nisën për mrekulli ndeshjen, duke pasur epërsi deri në 14 pikë epërsi, 27:13, derisa me pesë pikë radhazi nga mysafirët, kjo pjesë përfundoi 27:18. Prishtinasit vazhduan me lojë të mirë në periudhën e dytë, ku ishin bindshëm më të mirë për të bërë përmbysjen dhe për të shkuar në pushim me rezultat 39:44.
Edhe në periodën e tretë, prishtinasit për një nuancë ishin më të mirë, 24:27, ndërsa shifrat pas 30 minutash ishin 63:71. Në dhjetë minutat e fundit vetëm sa konfirmuan fitoren, për të triumfuar me rezultat 73:94.
Më i miri te vendasit ishte Jericole Hellems me 24 pikë e pesë kërcime, derisa te mysafirët Rashid Mahalbasiq me dhjetë pikë e 12 kërcime.
Vëllaznimi ka 13 fitore e 15 humbje në garat e rregullta, duke përfunduar në pozitën e gjashtë, derisa Sigal Prishtina e treta me 17 fitore e 11 humbje.
Komentet janë të mbyllura.