Prishtina e fiton përballjen e parë të serisë ndaj Vëllaznimit
Sigal Prishtina ka fituar çerekfinalën e parë të “Play-off”-it ndaj Vëllaznimit në dramën e zhvilluar në kryeqytet me shifrat 71:69 (17:28, 19:8, 18:18, 17:15).
Sfidën shumë më mirë e nisën kuqezinjtë, duke pasur deri në 14 pikë epërsi në dhjetëminutëshin e parë 11:25, derisa fituan këtë pjesë 17:28. Por, bardhekaltrit u rikthyen furishëm në periodën e dytë, për të përmbysur shifrat në 34:30, ndërsa pjesa e parë përfundoi 36:36.
Pjesa e dytë ishte shumë interesante, ku drama ndodhi në sekondat e fundit. Mysafirët po fitonin 65:69, një minutë nga fundi, por Daniel Lekndreaj ishte vendimtar me katër pikë radhazi dhe një kërcim në sulm, derisa pikët e fitores i shënoi Olin Carter.
Daniel Lekndreaj ishte më i miri te vendasit me 18 pikë e nëntë kërcime, kurse te mysafirët Don Polloshka kishte 13 pikë e shtatë asistime.
Ndeshja e dytë zhvillohet në Gjakovë të shtunën mbrëma. Skuadra që shënon dy fitore kualifikohet në gjysmëfinale.
Komentet janë të mbyllura.