Pensionohet para kohe Atdhe Goçaj – Një prej gjyqtarëve më autoritativë që ka pasur basketbolli kosovar
Basketbolli kosovar vazhdon të përballet me mungesë të kuadrove në sektorin e gjykimit, teksa edhe një tjetër emër i rëndësishëm i këtij profesioni po largohet nga skena.
AsistiOnline.com ka mësuar se gjyqtari i njohur Atdhe Goçaj ka vendosur të pensionohet, duke i dhënë fund një karriere mbi 20-vjeçare në shërbim të basketbollit vendor.
Goçaj ka qenë ndër më të dalluarit në mesin e gjyqtarëve të gjeneratës së tij, i njohur për autoritetin që kishte në fushë, por edhe për qasjen korrekte dhe komunikimin e mirë me lojtarët e trajnerët.
Ai ka qenë i pranishëm në shumë prej ndeshjeve më të rëndësishme të viteve të fundit në Superligë dhe përfaqësime ndërkombëtare, duke u vlerësuar si një nga gjyqtarët më të besueshëm dhe profesionalë të periudhës së tij. Ajo që e bën largimin e Goqajt edhe më befasues është fakti se ai është ende i ri në moshë dhe, duke pasur parasysh përgatitjen e tij fizike dhe standardin profesional, ai ka mundur të kontribuojë minimalisht edhe për 10 vite të tjera në këtë profesion. Megjithatë, arsyet pse ka ardhur deri tek pensionimi i tij nuk janë bërë ende të ditura.
Sipas burimeve të afërta me strukturat e gjykimit, Goçaj ka qenë gjithashtu një figurë e respektuar edhe brenda komunitetit të gjyqtarëve, duke dhënë kontribut edhe në rritjen e kolegëve më të rinj, me përvojën dhe etikën e tij në këtë profesion të ndjeshëm. Mbetet të shihet nëse Federata e Basketbollit të Kosovës do të reagojë për të ndalur këtë pensionim të parakohshëm dhe për të bërë përpjekje që Goqaj të rikonsiderojë vendimin e tij – një veprim që do të përshëndetej nga shumë akterë të basketbollit kosovar.
Largimi i tij vjen në një moment jo të lehtë për gjykimin vendor, që po përballet me sfida të shumta, përfshirë edhe rënien e interesimit për këtë profesion, mungesën e gjeneratës së re, si dhe zbehjen e përfaqësimit vendor në ndeshjet vendimtare.
Për shumë adhurues të basketbollit, emri i Atdhe Goçaj do të mbetet i lidhur me korrektësinë, vendosmërinë dhe pasionin për sportin – vlera të cilat do të mungojnë në fushë nga ky sezon e tutje. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.