Pas një kohe të gjatë, 4shja e madhe rikthehet në gjysmëfinale të play off-it
Pas një kohe të gjatë mungese në garat vendimtare, katër ekipet më të njohura dhe më me histori të basketbollit kosovar janë rikthyer aty ku i takon vendi – në fazën play off të Superligës së Kosovës.
Bashkimi, Trepça, Prishtina dhe Peja janë emrat që dikur përbënin bërthamën e rivalitetit më të zjarrtë në sportin e koshit dhe që këtë sezon, më në fund, do të luftojnë sërish për trofeun më të çmuar.
Kjo është hera e parë që nga viti 2017 kur “4-shja e madhe” është pjesë e përbashkët e play off-it. Në atë sezon historik, Prishtina kishte triumfuar në finale duke mposhtur Bashkimin 3-1 në seri, pasi në gjysmëfinale kishte kaluar Trepçën 3-0, ndërsa Bashkimi kishte eliminuar Pejën me të njëjtin rezultat.
Tani, pas shumë sezonesh të ndryshueshme për secilin prej tyre – me ngritje, rënie, ristrukturime dhe ndërrime gjeneratash – katër skuadrat rikthehen në garën për titull, secila me ambicie, përvojë dhe dëshirë të madhe për lavdi.
A do të përsëritet “skenari” i 2017-tës, apo historia do të shkruhet ndryshe këtë vit? Një gjë është e sigurt – emocionet, rivaliteti dhe pasioni i vërtetë i basketbollit janë kthyer fuqishëm në parketet kosovare.
Komentet janë të mbyllura.