Bashkimi e fiton thellë gjysmëfinalen e parë ndaj Pejës
Bashkimi ka fituar bindshëm ndeshjen e parë gjysmëfinale të “Play-off”-it ndaj Pejës me rezultat 81:61 (26:17, 18:14, 13:19, 24:11).
Sfida e parë u zhvillua në një atmosferë të jashtëzakonshme në Prizren, ku spektakël u zhvillua në tribunë dhe parket.
Pas një fillimi të barabartë, vendasit të përkrahur nga tifozët, u shkëputën dy herë deri në 11 pikë, derisa çerekun e parë e fituan 26:17. Lojë më e barabartë u zhvillua në periudhën e dytë, ku Portokallezinjtë për një nuancë ishin më të mirë, për të shkuar në pushim me shifrat 44:31.
Në pjesën e dytë, vendasit kontrolluan lojën, për të fituar në fund me 20 pikë dallim, 81:61.
Te vendasit u dalluan Lejson Zeqiri me 12 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime, Dirk Williams me 12 pikë dhe Erik Copes me tetë pikë e tetë kërcime, ndërsa te mysafirët Darryl Morsell shënoi 13 pikë dhe Marques Townes 12.
Skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale.
Komentet janë të mbyllura.