Berisha vendimtar me Pejën që barazon serinë ndaj Bashkimit
Në një super ndeshje të zhvilluar dhe dramë deri në fund, Peja fitoi ndaj Bashkimit me shifrat 84:79 (26:11, 20:21, 22:23, 16:24), duke barazuar serinë gjysmëfinale në 1:1.
Vendasit e nisën furishëm ndeshjen, duke krijuar deri në 15 pikë në çerekun e parë 22:7, por më pas mysafirët ngushtuan shifrat, ku kjo pjesë përfundoi 26:11. Verdhezinjtë kontrolluan edhe periudhën e dytë, që ishte më e baraspeshuar, 20:21, derisa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 46:32.
Prizrenasit u rikthyen fuqishëm në pjesën e dytë, duke bërë që drama të zhvillohet deri në sekondat e fundit. Portokallezinjtë përmbysën shifrat në 76:77, megjithatë, në fund, vendasit të udhëhequr nga Dardan Berisha, ishin më të mirë dhe triumfuan 84:79.
Te Peja u dallua Dardan Berisha me 23 pikë e pesë kërcime, kurse te Bashkimi u dallua Jayveous Mckinnis me 15 pikë e nëntë kërcime.
Ndeshja e radhës zhvillohet në Prizren të dielën, derisa skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale.
Komentet janë të mbyllura.