Muja Thaçi largohet nga Elitzur Ramla pas dy viteve të suksesshme
Pas dy sezoneve të plota të mbushura me arritje dhe sfida, trajneri shqiptar nga Ilirida Muja Thaçi ka konfirmuar largimin e tij nga klubi izraelit Elitzur Ramla.
Me një postim emocionues, ai bëri të ditur përfundimin e këtij kapitulli të rëndësishëm në karrierën e tij, duke theksuar se pavarësisht diskutimeve të shumta me bordin drejtues, nuk u arrit një marrëveshje për të vazhduar më tej.
Thaçi përmendi disa nga sukseset kryesore gjatë kohës së tij, përfshirë: Titullin e kampionit, Superkupën, finalen e Kupës dhe pjesëmarrjen në Euro Cup – një arritje e rëndësishme për klubin që gjatë kësaj periudhe është përballur edhe me një sërë lëndimesh dhe pengesash.
Ai falënderoi publikisht bordin drejtues, lojtarët që ndanë të njëjtat vlera, dhe tifozët e vërtetë që e mbështetën me besnikëri, duke shtuar se këto përvoja e kanë bërë më të fortë dhe më të përgatitur për sfidat e ardhshme.
Burime të afërta konfirmojnë se Thaçi tashmë ka disa oferta serioze nga klube të njohura në Evropë, duke përfshirë projekte ambicioze që përkojnë me filozofinë dhe përvojën e tij si trajner. Pas një kohe të suksesshme në Izrael, duket se karriera e Thaçit është në një moment vendimtar për hapin e radhës në nivelet më të larta të basketbollit evropian.
Ai përfundon mesazhin e tij me besim dhe përulësi: “E ardhmja do të sjellë diçka të mirë – dhe unë jam gati.” /AsistiOnline.com
Komentet janë të mbyllura.