Basketbolli rikthehet në Ferizaj: Themelohet “Ferizaj Wolves”, projekt me vizion dhe ambicie afatgjate
Pas një kohe të gjatë mungese, basketbolli i meshkujve po rikthehet fuqishëm në Ferizaj me themelimin e një klubi të ri që premton shumë.
Ferizaj Wolves, ky projekt i ri i cili pritet të nisë së shpejti punën me gjeneratat e reja, është fryt i vizionit dhe pasionit të dy ish-basketbollistëve, Ergin Grosha dhe Leonit Tanaj, të cilët janë vendosur ta kthejnë qytetin ferizajas në një adresë serioze të basketbollit kosovar.
Ergin Grosha është një emër i njohur në basketbollin e Kosovës, ish-lojtar i Përfaqësueses dhe i shumë skuadrave në Superligë, me përvojë të pasur në fushën e lojës dhe një njohje të thellë të realitetit të basketbollit vendor. Leonit Tanaj, ndërkohë, është trajner i licencuar nga FIBA dhe me eksperiencë në punën me të rinjtë, duke sjellë një qasje moderne dhe profesionale në zhvillimin e talenteve.
Sipas dyshes që po e jetësojnë këtë projekt të shumëpritur për basketbollin ferizajas, “Ferizaj Wolves” është më shumë se vetëm një emër i ri në basketbollin kosovar – është një projekt ambicioz, me strategji të qartë zhvillimi dhe synime të mëdha për të ardhmen.
Në fazën fillestare, klubi do të fokusohet në ngritjen e gjeneratave të reja, duke u dhënë hapësirë fëmijëve dhe të rinjve të qytetit të ndjekin ëndrrën e tyre në basketboll, nën përkujdesjen profesionale të një stafi që njeh mirë sfidat dhe standardet e këtij sporti.
Pritet që për një kohë të shkurtër, Ferizaj Wolves të kompletohet edhe si klub senior, për të konkurruar në garat zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe për të ndërtuar një ekip që mund të synojë majat, me përfaqësim serioz në arenën vendore dhe, me kohë, edhe më gjerë.
Rajoni i Ferizajt është i njohur për ekonomi dinamike dhe aktivitet të dendur afarist, dhe ky potencial pritet të shfrytëzohet maksimalisht për të mbështetur Ferizaj Wolves drejt një rruge të qëndrueshme dhe të suksesshme. Përkrahja e biznesit lokal do të jetë një nga shtyllat kryesore për realizimin e këtij projekti, që synon të krijojë një identitet të fortë sportiv dhe të rikthejë basketbollin në zemrat e qytetarëve ferizajas.
Nga klubi theksojnë se ky projekt nuk është vetëm një klub i ri, por një vizion i ri për Ferizajn – një lëvizje që synon të ringjallë sportin, të angazhojë rininë dhe të krijojë një komunitet të bashkuar rreth basketbollit.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.