Edon Maxhuni shpërthen me 21 pikë dhe e shpëton Karsiyakën nga rënia
Në momentet më vendimtare të sezonit, kur presioni ishte maksimal dhe çdo pikë kishte peshën e madhe, Edon Maxhuni shkëlqeu si asnjëherë më parë.
Basketbollisti me prejardhje nga Kosova ishte vendimtar në fitoren jetike të Karsiyaka-s, që me triumfin e djeshëm ndaj Turk Telekomit 76-73, ka siguruar mbetjen në elitën e basketbollit turk.
Maxhuni pati një paraqitje fantastike, duke kontribuar me 21 pikë, 3 kërcime, 2 asistime dhe 2 topa të vjedhur, ndërsa saktësia e tij nga distanca ishte tejet e lartë – 4 treshe nga 6 tentime.
Maxhuni ishte lideri i padiskutueshëm i ekipit, duke marrë përgjegjësinë në dorë dhe duke udhëhequr Karsiyaka-n drejt një fitore që vlejti sa një sezon i tërë.
Ky shpërthim i Edonit vjen në kohën më të duhur dhe tregon qartë pjekurinë e tij si lojtar, gatishmërinë për të përballuar presionin dhe cilësitë që e bëjnë atë një nga emrat më të ndritur të basketbollit shqiptar në histori, në arenën ndërkombëtare.
Me këtë formë, Maxhuni jo vetëm që e shpëtoi ekipin, por edhe e forcoi statusin e tij si një lider i vërtetë në parket.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.