Basketboll

Finalja e sontme me shumë emocione me Bashkimin që synon ngushtimin e serisë e Trepça synon titullin

Seria finale e Superligës së Kosovës në basketboll vazhdon sonte me ndeshjen e pestë mes Bashkimit dhe Trepçës, që zhvillohet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, duke nisur nga ora 19:00.

Pas katër përballjesh intensive, skuadra mitrovicase udhëheq serinë me rezultat 3-1 dhe ka vetëm një fitore larg mbrojtjes së titullit kampion. Por përpara saj qëndron Bashkimi, që para publikut të vet do të kërkojë me ngulm ta ngushtojë rezultatin në 3-2 dhe të mbajë gjallë shpresat për trofeun.

Prizreni pritet të jetë sonte në ”zjarr” — atmosfera në “Sezai Surroi” pritet të jetë e jashtëzakonshme dhe e stërmbushur, teksa tifozët vendas do t’i japin krah skuadrës që nuk ka çka të humbasë, ndërsa mitrovicasit do të synojnë që para syve të publikut prizrenas të festojnë titullin kampion.

Gjithçka është gati për një mbrëmje që mund të shkruajë historinë — ose do të shpallet kampioni, ose seria do të rifillojë me një ndeshje të gjashtë dramatike në Mitrovicë.

A do të ketë kurorë apo vazhdim të betejës? E kuptojmë sonte pas orës 20:30. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.