Ekskluzive: Ekipet kosovare në ”gjah”, katër prej tyre i vihen pas Petar Mijoviqit
Sipas informacioneve të siguruara nga AsistiOnline.com, trajneri i njohur malazez Petar Mijoviq është në qendër të vëmendjes së disa prej skuadrave nga Superliga e Kosovës në basketboll.
Siç ka mësuar AsistiOnline.com, katër ekipet që përbëjnë “Katërshen e Madhe” të kampionatit kosovar, me përjashtim të Trepçës që tashmë ka vazhduar bashkëpunimin me trajnerin Adis Beçiragiq, janë vënë pas Mijoviqit për një marrëveshje të mundshme për sezonin e ri.
Mijoviq, i cili në sezonin që lamë pas drejtoi ekipin SC Derby në ABA Ligë, arriti të ruajë statusin elitar të skuadrës nga Mali i Zi në këtë garë të fortë rajonale, madje duke e bërë këtë pothuajse me një përbërje tërësisht vendore. Skuadra nën drejtimin e tij regjistroi disa fitore tejet të rëndësishme dhe deçizive, duke garantuar qëndrimin në ABA për të paktën edhe një edicion tjetër.
Kujtojmë se Mijoviq nuk është i panjohur për basketbollin kosovar. Ai para dy edicioneve udhëhoqi ekipin e Yllit nga Theranda, me të cilët arriti deri në finalen e madhe të kampionatit, ku u mposhtën në një seri dramatike 3-2 nga Trepça. Pavarësisht humbjes, Ylli nën drejtimin e tij zhvilloi një basketboll shumë cilësor, duke fituar respektin e publikut dhe njohësve të lojës.
Përveç Yllit, Mijoviq ka qenë edhe në pankinat e Bashkimit dhe Prishtinës, ndërsa në karrierën e tij ka drejtuar edhe gjigantin malazez të basketbollit, Buduçnost, një nga emrat më të mëdhenj në basketbollin e rajonit.
Tashmë mbetet të shihet se cili nga ekipet pretendente të Kosovës do të arrijë ta bindë trajnerin malazez për t’u rikthyer në Superligën kosovare – një rikthim që pa dyshim do të sillte përvojë dhe cilësi të lartë në pankinën e skuadrës që do ta angazhojë. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.