Ja si kishte debutuar Kosova 3×3 në garat ndërkombëtare gjatë vitit 2019
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll 3×3 ka shënuar një rrugëtim goxha të gjatë që nga debutimi i saj në vitin 2019, duke u afirmuar në skenën ndërkombëtare të këtij sporti.
Ishte viti 2019, kur ekipi ynë kosovar e nisi aventurën zyrtare në garat e FIBA-s për basketbollin 3 kundër 3 në kualifikimet e FIBA 3×3 Europe Cup dhe madje kishte rezultate tejet të mira.
Në krye me kordinatorin e ekipit Agon Fehmiu, ekipi i Kosovës në përbërje të lojtarëve: Altin Sahiti, Arti Hajdari, Albatrit Berisha dhe Arian Mehmeti, kishin zhvilluar 2 ndeshje me bilanc 1 fitore dhe 1 humbje.
Kosova atë kohë ishte mposhtur nga Sllovenia 21-8, por kishte dërrmuar Andorrën 6-21, duke e mbyllur kështu rangimin final në pozitën e 6-të dhe duke lënë pas shtete si Turqia e Rumania.
Në përgjithësi kishte qenë ky një debutim tejet pozitiv për shtetin tonë të ri dhe pa përvojë në këto gara dhe që nga atëherë Kosova është paraqitur në kompeticione të tilla evropiane, por fatkeqësisht jo me rezultate më të mira apo rangim të tillë final.
Sido që të jetë, ekipi ynë kosovar të shtunën e fillon një tjetër turne prestigjioz ndërkombëtar që do të mbahet pikërisht në Prishtinë dhe urojmë e shpresojmë në rezultate pozitive e sukses, pasi në rradhët e veta sivjet ka grumbulluar një katërshe të lojtarëve nga Superliga e Kosovës. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.