Proton Cable Prizreni reagon për shpërndarjet e subvencioneve, akuzon ashpër Komunën e Prizrenit
Klubi i Proton Cable Prizreni ka reaguar me tone të forta publike ndaj mënyrës së ndarjes së subvencioneve nga Komisioni i DKRS-së në Komunën e Prizrenit, duke e cilësuar procesin si të padrejtë, jo transparent dhe të dëmshëm për klubet që, sipas tyre, kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të madh në sportin prizrenas.
Në një reagim të publikuar për opinionin publik, bordi drejtues i klubit shpreh “indinjatën e thellë” ndaj vendimit që e ul përfitimin e tyre për vitin 2024 në vetëm 6,000 euro, shumë e cila pas ankesës së tyre u rishikua në 11,000 euro, por që ende mbetet larg shifrave të viteve të kaluara – 30,000 euro për dy vitet e para dhe 15,000 euro në vitin e tretë.
Klubi, që garon prej 7 vitesh në Superligë dhe ka 4 ekipe të gjeneratave të reja si dhe një ekip të vajzave U14, thekson se aplikimi i tyre ka qenë i rregullt, brenda afatit dhe me dokumentacion të plotë.
Në reagimin e tyre, theksohen edhe disa shqetësime lidhur me ndarjen e subvencioneve për organizata dhe klube të tjera:
- Organizata jorezidente në Prizren që përfitojnë dyfishin e mjeteve, për aktivitete me kohëzgjatje shumë më të vogël.
- Klube me nivel më të ulët sportiv që përfitojnë mbështetje më të madhe.
- Shoqata të paidentifikueshme që, sipas tyre, përfitojnë mjete të barabarta me ta.
“Nuk kërkojmë lëmoshë, por atë që na takon me meritë,” – thuhet ndër të tjera në deklaratën e klubit, që konsideron se kjo ndarje është bërë “pa kritere të qarta, pa meritokraci dhe në dëm të vlerave të mirëfillta sportive”.
Klubi Proton Cable Prizreni gjithashtu ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të komisionit vlerësues, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin dhe transparencën e procesit. Ata kanë shprehur dyshime se mungon edhe monitorimi ligjor i këtij procesi, dhe kanë paralajmëruar se do të kërkojnë përgjegjësi për të gjitha këto çështje.
“Zëri ynë nuk do të heshtë derisa drejtësia dhe dinjiteti të rikthehen aty ku u shkelën,” përfundon deklarata e tyre, duke shtuar se janë të vendosur të mbrojnë jo vetëm interesin e klubit të tyre, por edhe të gjithë sportit prizrenas.
Ky reagim është një nga më të ashpërit të bërë publikisht nga një klub sportiv në Prizren, dhe vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë po shtohen zërat për nevojën e transparencës dhe drejtësisë në shpërndarjen e fondeve publike për sportin dhe kulturën. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.