Erxhan Osmani mbyll sezonin me Efesin, eliminohen nga Beshiktashi
Basketbollisti i njohur shqiptar, Erxhan Osmani, ka përfunduar zyrtarisht sezonin 2024/25 me Anadolu Efesin, kjo pasi skuadra e tij u eliminua në gjysmëfinalet e Ligës Turke nga Beshiktashi.
Seria dramatike përfundoi me rezultat të përgjithshëm 3-2 në favor të Besiktashit, duke i dhënë fund garës së Efesit në mënyrë të papritur.
Në ndeshjen vendimtare të zhvilluar mbrëmë, ku Anadolu Efes pësoi humbjen që solli eliminimin, Osmani regjistroi njërën prej paraqitjeve me minutazhin më të ulët gjatë gjithë sezonit. Ai qëndroi në parket për vetëm 11 minuta, gjatë të cilave realizoi 2 pikë dhe kapi 3 kërcime.
Pavarësisht këtij epilogu zhgënjyes për ekipin, Osmani ka pasur një sezon solid në përgjithësi. Ai u paraqit me një mesatare prej rreth 7 pikësh për ndeshje si në Euroligë ashtu edhe në Ligën Turke, duke qenë ndër më të spikaturit mes lojtarëve vendorë të Anadolu Efesit. Pak javë më parë, Osmani zyrtarizoi vazhdimin e qëndrimit të tij tek gjiganti turk, duke nënshkruar një kontratë të re dyvjeçare.
Anadolu Efes është një ndër emrat më të mëdhenj të basketbollit evropian, pjesëmarrës i rregullt i Euroligës prej dekadash dhe fitues i dy trofeve evropianë në pesë vitet e fundit.
Kujtojmë se para pak javësh sezonin në Turqi e ka përmbyllur edhe shqiptari tjetër, Kenan Spahiu, i cili me Bahçesehir Koleji u eliminua në çerekfinale nga Fenerbahçe me rezultat të përgjithshëm 3-0. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.