Ish lojtari i Rahovecit dënohet rëndë për kurdisje të ndeshjeve në Angli
Një rast i rëndë disiplinor ka tronditur basketbollin anglez, ku emri i një ish-lojtari që dikur kishte debutuar në Superligën e Kosovës është përfshirë në një prej dënimeve më të rënda të dhëna nga FIBA në vitet e fundit.
Bëhet fjalë për basketbollistin amerikan Josh McFolley, i cili kishte nisur karrierën e tij profesioniste në edicionin 2019/2020 me ekipin e atëhershëm të Rahovecit, që tashmë është shuar. Në atë kohë, ai kishte lënë mbresa në parket, duke luajtur edhe në Ligën Ballkanike.
Pas eksperiencës në Kosovë, McFolley kishte vazhduar karrierën në disa kampionate evropiane, përfshirë Sllovakinë, Finlandën dhe së fundmi Britaninë e Madhe. Por, pikërisht në këtë të fundit ai është përfshirë në një çështje të rëndë të manipulimit të ndeshjeve.
FIBA ka bërë të ditur se McFolley është ndëshkuar me ndalim të çdo aktiviteti të lidhur me basketbollin deri në vitin 2034, për shkak të përfshirjes në manipulimin e rezultateve gjatë sezonit 2022/2023 në kampionatin britanik. Ai ishte pjesë e skuadrës Surrey Scorchers, ekip ku janë identifikuar edhe katër lojtarë të tjerë të përfshirë në të njëjtin skandal.
Dënimet janë dhënë për veprime që përfshijnë kurdisje të ndeshjeve dhe për mosraportim të rasteve të dyshimta, një shkelje e rëndë që godet thellësisht integritetin e sportit.
Ky është një rast që nënvizon edhe një herë rëndësinë e mbikëqyrjes dhe zbatimit të rregullave për të mbrojtur garën e ndershme në çdo kampionat, pa marrë parasysh nivelin apo shtetin ku zhvillohet loja.
Komentet janë të mbyllura.