Basketboll

Rifati i reagon ashpër kryetarit të Prizrenit, lidhur me një deklaratë të tij për klubin bardhezi

Trajneri dhe njëherësh themeluesi i klubit të basketbollit Proton Cable Prizreni, Arbnor Rifati, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të bëra në një emision në Kanal 10, lidhur me klubin prizrenas.

Rifati, përmes një reagimi publik, ka theksuar se është e paarsyeshme që kryetari i komunës të nënvlerësojë klubin që ka sjellë trofeun e fundit për qytetin e Prizrenit që nga viti 2018. Ai ka rikujtuar se pikërisht atëherë kryetari Totaj kishte pozuar me trofeun në zyrën e tij.

Në reagim përmenden edhe sukseset konkrete të klubit, si titulli i kampionit të stinorit të rregullt më 2020, fitimi i Superkupës së Kosovës më 2021, medalja e bronztë në Ligën Unike më 2022, si dhe pjesëmarrja për katër vite me radhë në fazën e playoff-it në Superligën e Kosovës.

Rifati sqaron se asnjëherë nuk kanë kundërshtuar mbështetjen për klubin tjetër të qytetit, KB Bashkimi, dhe thekson lidhjet familjare e personale me atë klub. Megjithatë, ai kritikon mospërkrahjen institucionale ndaj Proton Cable Prizrenit dhe kujton faktin se për katër vite me radhë, as kryetari Totaj e as drejtori i DKRS-së nuk kanë marrë pjesë në asnjë ndeshje të klubit, pavarësisht ftesave zyrtare.

Ai gjithashtu përmend se klubi që ai përfaqëson nuk i ka mbetur borxh askujt që nga themelimi më 2016, duke e krahasuar këtë me situatën e borxheve që pretendon se janë lënë në kohën kur Totaj ka qenë kryetar i KB Bashkimit.

Në fund të reagimit, Rifati i bën thirrje Totajt për një debat publik, ku të dy palët mund të paraqesin dokumente dhe fakte lidhur me mbështetjen financiare dhe aktivitetet për të cilat është folur.

Sipas tij, gjuha nënçmuese e kryetarit nuk e dëmton klubin, por përkundrazi, e forcon atë, duke theksuar se edhe ata janë pjesë e Prizrenit – me punë, jo me propagandë. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.