Petar Mijoviq qëndron te SC Derby, zhgënjen përsëri ekipet kosovare që e prisnin si trajner të ri
Petar Mijoviq do të vazhdojë të udhëheqë SC Derby-n edhe në sezonin e ardhshëm. Klubi nga Mali i Zi ka zyrtarizuar rinovimin e bashkëpunimit me trajnerin e njohur, i cili gjatë sezonit të kaluar ka lënë gjurmë të mëdha në bankinën e skuadrës së njohur si “Studentët”.
Nën drejtimin e Mijoviqit, SC Derby ka përjetuar rritje të ndjeshme, jo vetëm si ekip garues në ABA Ligë dhe në kampionatin vendor, por edhe si një mjedis zhvillimor për talentët e rinj. Këtë e dëshmon fakti që disa nga lojtarët më të rëndësishëm të sezonit të kaluar kanë siguruar kontrata në programe NCAA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por, lajmi për vazhdimin e tij me SC Derby-n ka sjellë edhe një valë zhgënjimi në basketbollin kosovar. Trajneri Mijoviq kishte qenë në qendër të interesimit të disa prej skuadrave më të mëdha në Superligën e Kosovës. Ylli nga Suhareka, Bashkimi i Prizrenit, Prishtina, por edhe Peja kishin hyrë në kontakte me trajnerin malazez, duke shpresuar në angazhimin e tij për sezonin e ri. Burime të afërta me këto klube konfirmojnë se ato kishin pritur vetëm nënshkrimin e tij, por në fund janë zhgënjyer nga vendimi i tij për të qëndruar në Mal të Zi.
Për SC Derby-n, sfidat e sezonit të ardhshëm janë të shumta – duke filluar nga ABA Liga, kampionati vendor e deri te kualifikimet për Ligën e Kampionëve të FIBA-s. Klubi e sheh daljen në arenën evropiane si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të projektit të tyre sportiv.
“Petar, faleminderit për gjithçka deri tani – dhe vetëm vazhdo aty ku e ke lënë,” thuhet në njoftimin zyrtar të SC Derby-t. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.