Peja 03 ka realizuar një lëvizje të bujshme në afatin kalimtar veror të basketbollit femëror në Kosovë.
Klubi nga Peja ka arritur të sigurojë shërbimet e Adrienne Godbold, lojtares amerikane të natyralizuar, e cila sezonin e kaluar ishte pjesë e Bashkimit dhe kontribuoi dukshëm në shpalljen e ekipit prizrenas kampion të Kosovës.
Godbold është një lojtare me përvojë të madhe ndërkombëtare, me karrierë të pasur në disa skuadra evropiane dhe botërore. Përveç cilësive që e karakterizojnë në parket, një tjetër përparësi e saj është statusi i saj si lojtare e natyralizuar, që pritet ta bëjë atë të luajë si vendore në Superligën e Kosovës për femra.
Deri më tani, Peja 03 është ekipi i vetëm që ka nisur të përforcohet për edicionin e ri në basketbollin e femrave. Pak ditë më parë, ky klub njoftoi edhe për vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin Izzat Ismail, i cili do të udhëheq skuadrën edhe në sezonin e ardhshëm.
Me këto lëvizje, Peja 03 po tregohet aktive në treg dhe duket se synon trofetë në edicionin e ri. /AsistiOnline.com/




