Basketboll

Oklahoma City Thunder kampione e NBA-së për vitin 2025

Oklahoma City Thunder ka shkruar histori mbrëmë duke fituar për herë të parë titullin e kampionit të NBA-së si qytet pritës, pas një fitore të madhe ndaj Indiana Pacers në ndeshjen e 7-të të finales me rezultat 103–91.

Në një atmosferë të jashtëzakonshme në “Paycom Center”, Thunder tregoi forcë të jashtëzakonshme sidomos në pjesën e dytë të lojës, ku dominoi me një çerek të tretë vendimtar (34–20). Fitorja e mbrëmshme e vulosi serinë me rezultat 4–3, pas një finale dramatike dhe të luftuar deri në fund.

Ylli i skuadrës, Shai Gilgeous-Alexander, ishte lojtari më i mirë i takimit dhe u shpall MVP i finales, duke shënuar 29 pikë dhe shpërndarë 12 asistime. Ai ishte gjithashtu MVP i sezonit të rregullt, duke u bërë lojtari i parë që e arrin këtë dyshe prestigjioze që nga LeBron James në vitin 2013.

Kontribut të madh dhanë edhe Jalen Williams me 20 pikë, si dhe Chet Holmgren me 18 pikë dhe 8 kërcime. Gjermani Isaiah Hartenstein, i cili gjithashtu kishte rol të rëndësishëm nën kosh, u bë vetëm lojtari i dytë gjerman që fiton një titull në NBA pas Dirk Nowitzkit.

Për Pacers, mungesa e organizatorit Tyrese Haliburton, që u largua që në fillim për shkak të një lëndimi në tendinën e Akilit, u ndje shumë, ndërsa Pascal Siakam dhe Myles Turner nuk arritën të përmbysin epërsinë e vendësve.

Ky është titulli i parë për Thunder që nga zhvendosja e klubit nga Seattle në Oklahoma City më 2008, dhe fitorja e parë madhore për këtë qytet në historinë e NBA-së. Me një bërthamë të re të lojtarëve të rinj dhe të uritur për sukses, Thunder duket se po hyn në një epokë të artë të re. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.