Basketboll

Ish lojtari i Pejës Edler-Davis prezantohet te ekipi gjerman që do të luajë në EuroCup

Ish-lojtari i KB Peja, Justin Edler-Davis, ka bërë një hap të madh në karrierën e tij, duke firmosur me klubin gjerman Veolia Towers Hamburg, që garon në EuroCup, kompeticionin e dytë më të fortë në basketbollin evropian pas Euroligës.

Prezantimi i tij nga klubi gjerman ka qenë simbolik dhe domethënës – Edler-Davis është paraqitur për herë të parë si lojtari më i ri i Hamburg Towers me fanellën e KB Pejës, ekip për të cilin luajti në sezonin 2022/23, duke lënë gjurmë në Superligën e Kosovës.

27-vjeçari amerikan ka vijuar rrugëtimin e tij evropian pas përvojave në Portugali dhe Kosovë, duke u afirmuar plotësisht në Rumani me ekipin CSO Voluntari, me të cilin fitoi Kupën e Rumanisë dhe gjithashtu triumfoi në European North Basketball League (ENBL), një tjetër garë ndërkombëtare e rëndësishme.

Kontrata e tij me Hamburg Towers është e vlefshme deri në vitin 2027, ndërsa klubi gjerman, që garon në elitën e Bundesligës gjermane (BBL) dhe në EuroCup, e cilëson këtë transferim si një përforcim të rëndësishëm për objektivat afatgjata të skuadrës.

Ky kalim përfaqëson jo vetëm një sukses personal për Edler-Davis, por edhe një promovim të drejtpërdrejtë për basketbollin e Kosovës, duke treguar se përvojat në Superligë mund të shërbejnë si trampolinë për në nivelet më të larta evropiane. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.