Basketboll

Arian Azemi pranë zyrtarizimit te Prishtina

Sipas burimeve të besueshme të AsistiOnline, KB Prishtina ka arritur marrëveshje me Arian Azemin, njërin nga basketbollistët më të dalluar të sezonit të kaluar në basketbollin kosovar.

Azemi ishte pjesë e KB Vëllaznimit gjatë edicionit 2024/25, ku dha kontribut të rëndësishëm në suksesin historik të klubit gjakovar, i cili arriti të shpallej kampion i Ligës Unike.

Në këtë kompeticion mbarëshqiptar, Azemi shënoi mesatarisht 11.6 pikë për ndeshje, ndërsa në Superligën e Kosovës kishte mesatare prej 8.7 pikësh.

Lojtari tashmë llogaritet si vendor në garat vendore dhe pritet të sjellë një vlerë të shtuar në përbërjen e klubit kryeqytetas. Prishtina synon rikthimin në majat e basketbollit kosovar dhe afrimi i Azemit shihet si një hap i rëndësishëm në ndërtimin e një skuadre të balancuar dhe konkurruese.

Arian Azemi kishte nisur karrierën e tij në basketbollin kosovar me skuadrën e Istogut, dhe nga aty ka kaluar në disa skuadra të rëndësishme duke fituar përvojë dhe reputacion në parket.

Mbetet të shihet kur do të zyrtarizohet marrëveshja nga KB Prishtina, por burimet tona konfirmojnë se gjithçka tashmë është finalizuar. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.