Basketboll

Ekskluzive: Lis Shoshi do të mbetet te Ylli, përkundër interesimit të madh nga Trepça e Bashkimi

Përkundër ofertave të shumta dhe insistimit të madh nga klubet rivale Trepça dhe Bashkimi, Lis Shoshi pritet të mbetet në Therandë.

Burime të afërta me situatën aktuale të lojtarit, kanë konfirmuar për AsistiOnline.com se Lis Shoshi është shumë pranë qëndrimit te Golden Eagle Ylli.

Sipas të njëjtave burime, klubi nga Theranda i ka ofruar qendrës pejane një kontratë rinovimi tejet të majme – një ofertë që thuhet të jetë e vështirë për t’u refuzuar. Palët tashmë kanë rënë dakord në parim dhe pritet që marrëveshja të zyrtarizohet në ditët në vijim.

Në edicionin e kaluar, Shoshi u rikthye në formën e tij më të mirë, duke qenë një prej basketbollistëve më të dalluar në Superligën e Kosovës. Ai përfundoi sezonin me mesatare prej 10.1 pikësh dhe 8.1 kërcimesh për ndeshje.

Karriera e Shoshit përfshin përvoja të rëndësishme ndërkombëtare. Ai ka luajtur edhe në Evropë përfshirë ekipet si: Maccabi Ashdod në Izrael, Pieno Zvaigzdes në Lituani apo Oliver Würzburg në Gjermani. Lisi në Kosovë ka luajtur te Prishtina dhe Peja, ndërsa përvoja e tij jashtë vendit dhe fiziku dominant e kanë kthyer atë në një nga qendrat kryesore nga vendorët dhe të huajt në Kosovë në dekadën e fundit. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.