Basketboll

FBK njofton për përmbylljen me sukses të projektit PROMISE në Kosovë

Pas 30 muajsh aktivitetesh intensive dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, projekti PROMISE (steP foRward fOr woMen In baSkEtball) ka përfunduar zyrtarisht, duke lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e sportit të vajzave dhe grave në Kosovë.

Në qendër të këtij transformimi ka qenë Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), e cila ka qenë një prej partnerëve kyç në këtë iniciativë evropiane të mbështetur nga programi Erasmus+ Sport.

PROMISE ka synuar të adresojë sfidat gjinore në basketboll përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse – nga fuqizimi i sportisteve të reja në fushë, deri te ngritja e përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse brenda strukturave të sportit.

Gjatë zbatimit në Kosovë, projekti ka sjellë një gamë të gjerë aktivitetesh me ndikim të drejtpërdrejtë. Nga fokus grupet me vajza dhe gra në basketboll, tek programet e mentorimit dhe punëtoritë për perspektivën gjinore në sport, PROMISE ka ofruar platforma reale për ndërtimin e vetëbesimit dhe kapaciteteve të sportisteve të reja.

Një prej ngjarjeve kulmore ishte kampusi ndërkombëtar në Bordeaux, ku vajzat kosovare patën rastin të ndajnë përvoja me pjesëmarrëse nga vende të ndryshme evropiane. Po ashtu, projekti ka prodhuar materiale frymëzuese si dokumentari “Women in Basketball”, video me histori personale të grave në sport, dhe një libër komik për fëmijë me titullin “Zana në Topin e Basketbollit”, që synon të nxisë pasionin për basketboll te gjeneratat më të reja të vajzave.

Një tjetër komponent inovativ ishte Hackathoni, që mblodhi të rinj e profesionistë për të gjeneruar ide konkrete për barazi gjinore në sport.

Por ndikimi i PROMISE nuk ndalet me aktivitete. Projekti ka prodhuar rekomandime të qarta politike për ndryshim të qëndrueshëm në sportin e vajzave, përfshirë:

  • Luftimin e stereotipeve gjinore dhe sfidave me imazhin e trupit;
  • Përmirësimin e shëndetit mendor dhe sigurisë emocionale për sportistet;
  • Rritjen e përfaqësimit të grave në pozita drejtuese dhe si trajnere;
  • Zhvillimin e mekanizmave kundër dhunës dhe ngacmimeve;
  • Rritjen e prezencës së basketbollit të vajzave në media dhe mbështetjen nga sponsorët.

Ky projekt evropian, që bashkoi institucione nga Spanja, Irlanda, Kosova, Portugalia, Franca dhe Bullgaria, e vendosi Kosovën në një rrjet ndërkombëtar të përkushtuar për barazi dhe zhvillim të qëndrueshëm në sport.

Me përfundimin e PROMISE, mbetet e qartë se ky nuk ishte vetëm një projekt afatshkurtër, por një investim i thellë në krijimin e një kulture më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse për sportistet e së ardhmes në Kosovë. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.