Basketboll

Edhe sivjet basketbolli në krizë për vendorë, mungesa e punës me të rinjtë rrit çmimet dhe tensionon tregun

Në vend që të investojnë në rritjen e lojtarëve të rinj dhe ndërtimin e strukturave të qëndrueshme për zhvillimin e talentit vendor, shumica e klubeve të basketbollit në Kosovë kanë zgjedhur rrugën më të shkurtër, duke e anashkaluar punën (cilësore) me shkollat e basketbollit dhe duke u fokusuar në ndërtimin e ekipeve përmes transferimeve të shtrenjta, shpesh jorealiste të cilat po pasqyrohen edhe në këtë merkato verore të vitit 2025.

Pasojat tashmë po ndihen dukshëm. Në mungesë të prodhimit të lojtarëve vendorë, kërkesat dhe ofertat e lartë kanë krijuar një treg të çrregullt, ku çmimet për basketbollistë nga vendi po arrijnë shifra marramendëse.

Burime të AsistitOnline nga brenda komunitetit sportiv flasin për kontrata që shkojnë besoni apo jo, deri në 10 mijë euro në sezon për lojtarë vendorë, shifra këto që nuk qëndrojnë as në raport me kualitetin sportiv të ofruar, e aq më pak me realitetin ekonomik të shumicës së klubeve.

Siç ka mësuar AsistiOnline.com, situata është tensionuar aq shumë, sa që disa klube tashmë po akuzojnë njëra-tjetrën për prishje të tregut dhe ofrim të çmimeve të fryera, në përpjekje për të tërhequr emra të njëjtë lojtarësh. Në vend që të ndërtohet një sistem i shëndosh i garës dhe zhvillimit të qëndrueshëm, jemi dëshmitarë të një gare që rrezikon të fundosë financiarisht klube të caktuara dhe të ulë cilësinë e kampionatit elitar.

Në fakt në rajon situata duket krejt ndryshe. Klubet në Kroaci, Maqedoni të Veriut, Bosnjë apo Serbi, arrijnë të angazhojnë lojtarë vendorë me çmime ndjeshëm më të ulëta, falë një pune të vazhdueshme në baza dhe sistem të funksionuar të akademive e shkollave të basketbollit e me plane afatgjate. Ndërkohë, në Kosovë mungesa e kushteve, infrastruktura e dobët, dhe një vëmendje sipërfaqësore ndaj grupmoshave po i lënë të rinjtë pa rrugë zhvillimi.

Edhe pse përgjegjësia shpesh hidhet mbi klubet, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) nuk është e pafajshme në këtë situatë. Politikat e saj kanë qenë më shumë administrative sesa zhvillimore.

Në vend që të krijohen mekanizma të detyrueshëm për klubet që të investojnë në grupmosha dhe kuadro trajnerësh vendorë, fokusimi ka shkuar drejt vendimeve teknike për të huajt, që shpesh nuk respektohen në praktikë.

Si pasojë, edhe përfaqësueset po e vuajnë këtë mungesë baze. Rezultatet e dobëta në arenën ndërkombëtare nuk janë befasi, por pasqyrim i drejtpërdrejtë i mungesës së një sistemi funksional që prodhon basketbollistë të përgatitur, me eksperiencë ndër vite dhe me kontinuitet.

Nëse nuk ndryshohet urgjentisht qasja dhe nuk vendoset një strategji kombëtare që detyron klubet të punojnë seriozisht me të rinjtë, basketbolli kosovar rrezikon të mbetet në rreth vicioz: Me treg të fryer, lojtarë të paguar mbi vlerën reale, dhe një kampionat që në letër duket kompetitiv, por që në fushë dhe tek Përfaqësueset pastaj po e tregon mungesën e vizionit afatgjatë dhe rezultatet konkrete. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.