Ekskluzive: Peja 03 do të luajë në kompeticionin e dytë evropian – Euro Cup Women
Skuadra elitare e basketbollit kosovar te femrat, Peja 03 nga qyteti i bukur i Pejës do të luajë për herë të parë në histori të saj në Eurocup, gara e dytë më e rëndësishme në Evropë për basketbollin femëror.
Në edicionin e ri, ekipi pejan do të garojë në fazën e grupeve, duke hapur kështu një kapitull të ri për basketbollin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Peja 03 është themeluar vetëm disa vite më parë nga ish-basketbollisti Endrit Basha, dhe në një kohë të shkurtër ka arritur të krijojë një organizim të qëndrueshëm dhe një stabilitet financiar që është shembull për klubet e tjera në vend.
Përveç zhvillimit të brendshëm, klubi ka bërë punë intensive për kompletimin e skuadrës, duke sjellë lojtarë nga jashtë me shumë cilësi dhe brenda vendit.
Shpejt pritet që të bëhet prezantimi zyrtar i ekipit për sezonin e ri, që premton shumë sfida dhe emocione. Kjo arritje historike e Pejës 03 është një dëshmi e rritjes dhe përkushtimit të klubit pejan ndaj basketbollit femëror në Kosovë dhe një mundësi e madhe për të treguar potencialin në skenën evropiane.
Padyshim se ky është një moment historik për ekipin dhe basketbollin pejan, por historik edhe për vetë basketbollin tonë, pasi në garë për këtë trofe janë mega ekipe dhe vetë pjesëmarrja në nivele të tilla, është reklamë e madhe për basketbollin kosovar.
Vlen të ceket se në këtë kompeticion me shumë gjasa pritet të jetë pjesëmarrëse edhe skuadra serbe Crvena Zvezda dhe mund të jetë edhe kundërshtare e Pejës në fazën e grupeve.
AsistiOnline do të jetë pranë skuadrës Peja 03, duke ndjekur nga afër çdo zhvillim dhe duke sjellë për ju momentet më të rëndësishme të këtij kapitulli të ri sportiv. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.