Super-ekskluzive: Dyshja e natyralizuar e Kosovës në shënjestër të Yllit
Golden Eagle Ylli e ka ‘sosur’ që si duket të rikthehet në një skuadër dominuse në basketbollin kosovar dhe në bazë të lëvizjeve në merkaton e verës, si duket që po.
Sipas burimeve të AsistiOnline.com, kampioni i dyfishtë kosovar, është në negociata serioze me dy basketbollistët e natyralizuar të Përfaqësueses së Kosovës: Dominic Artis dhe Scott Bamforth.
Nëse finalizohet cilado nga këto lëvizje, do të përbënte një goditje të madhe në tregun e transferimeve kosovare dhe një sinjal të qartë se therandasit synojnë rikthimin me patjetër në majat e basketbollit vendor.
Të dy lojtarët kanë një përvojë të jashtëzakonshme në skenën evropiane dhe kanë qenë pjesë e disa prej ligave më të forta të kontinentit. Dominic Artis vjen pas një sezoni shumë të mirë në Superligën e Francës, ku mbrojti ngjyrat e ekipit prestigjioz Strasbourg. Me aftësitë e tij si dirigjent i lojës dhe prezencën e fortë në të dyja anët e parketit, Artis shihet si një përforcim kyç për çdo skuadër që synon trofe në Kosovë.
Ndërkohë, Scott Bamforth, një emër tashmë i njohur për komunitetin e basketbollit kosovar, sivjet ka qenë pjesë e Granadës në elitën e basketbollit spanjoll (Liga ACB), njëra nga ligat më të forta në botë. Me përvojën e tij të madhe dhe aftësinë për të marrë përgjegjësi në momentet vendimtare, Bamforth do të sillte jo vetëm cilësi, por edhe lidership të padiskutueshëm në skuadrën e Yllit.
Klubi nga Theranda duket se ka bërë hapa konkretë në drejtim të njërit prej këtyre përforcimeve, dhe në rast të marrëveshjes me cilindo prej tyre, pritet që të shkaktojë senzacion.
AsistiOnline si gjithmonë me ekskluzivitetet dhe lajmet e konfirmuara të veta do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet rreth kësaj super-dysheje dhe çdo hap të mundshëm drejt zyrtarizimit. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.