Peja 03 përforcohet me tri amerikane me karrierë të pasur, para misionit historik në EuroCup Women
Klubi i basketbollit për femra Peja 03 ka zbuluar tri përforcimet e reja nga jashtë për sezonin e ri, duke siguruar shërbimet e tri lojtareve me profil të lartë ndërkombëtar: Eniya Russell, Dazia Lawrence dhe Kirsty Brown.
Këto transferime janë shenjë e ambicieve për luftë të madhe për trofe në skenën vendore, por edhe për përfaqësim dinjitoz në EuroCup Women, kompeticioni i dytë më i madh evropian në basketbollin e femrave, ku Peja do të debutojë këtë sezon, një hap historik për klubin dhe basketbollin kosovar.
Eniya Russell, lojtarja 1.83 metra e gjatë nga SHBA, vjen nga Divizioni kryesor i kolegjeve amerikane NCAA, ku ka garuar në tri ekipet më të forta universitare: South Carolina, Kentucky dhe së fundi Mississippi State. Russell është kampione e NCAA dhe një emër që është dalluar në SEC (konferenca më elitare e basketbollit universitar amerikan). Me mesatare prej mbi 11.7 pikësh, 4.8 kërcimesh dhe 3.4 asistimesh për ndeshje, njoftimi i Peja 03 për të shkruan se ajo është një lojtare e kompletuar – e rrezikshme si nga distanca ashtu edhe në depërtime.
Edhe Dazia Lawrence, një tjetër emër i spikatur amerikan, i bashkohet Peja 03 pas një karriere të madhe në NCAA. Ajo ka luajtur fillimisht për Charlotte 49ers, ku ishte lojtare kryesore me mesatare mbi 18 pikë për ndeshje dhe shumë herë MVP e ndeshjeve. Më pas u transferua te Kentucky Wildcats, ku vazhdoi të shkëlqejë. ”Si pjesë e Draftit të WNBA 2025, Dazia vjen me etiketen e një ylli në rritje në basketbollin amerikan dhe me mentalitet fitues. Me lojë të shpejtë, efikasitet të lartë dhe kontroll të plotë të parketit, ajo premton spektakël për Pejën”, shkruan postimi njoftues i klubit të saj të ri.
Kirsty Brown, përfaqësuese e Kombëtares së Britanisë së Madhe, është përforcimi i tretë i rëndësishëm për ekipin pejan. Me gjatësi prej 190 cm dhe përvojë ndërkombëtare të konsiderueshme, Brown vjen nga Caledonia Gladiators – ku ka garuar në ligën britanike dhe në vetë EuroCup Women, kompeticion në të cilin tani do të rikthehet me fanellën e Pejës. ”Aftësitë e saj fizike, forca në mbrojtje dhe përvoja ndërkombëtare do të jenë thelbësore për strukturën e ekipit në dy frontet – brenda dhe jashtë vendit”, shkruan njoftimi i Peja 03 për të.
Përmes këtyre përforcimeve, Peja 03 po kërkon që në debutimin në EuroCup Women të ketë paraqitje sa më dinjitoze, por edhe të ndërtojë një ekip kompetitiv që synon trofetë në basketbollin kosovar. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.