Kryetari i Gjilanit bën premtim të madh: Drita do të rikthehet dhe atë në Superligë
Pas një sezoni të tërë jashtë garave zyrtare, klubi i basketbollit Drita duket se po përgatitet për një rikthim në arenën e basketbollit kosovar.
Së paku kështu po pohon kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili në një paraqitje televizive dha sinjale pozitive për të ardhmen e klubit dhe shprehu përkrahje të hapur për iniciativat që po ndërmerren.
Në deklaratën e tij, Hyseni tha se: “Drita, vitin e kaluar, ka siguruar një sponsor dhe tashmë është regjistruar si biznes privat, pra nuk funksionon më si OJQ. Janë përfunduar të gjitha procedurat ligjore. Fatkeqësisht, për klubin tonë, vitin e kaluar ka qenë shumë vonë për t’u futur në ligë, dhe sipas asaj që unë kam të qartë nga ajo që ndodhi atëherë, për Ligën e Dytë nuk vlen Ligji për Sponsorizime”.
Ai shtoi se: “Problemi ka qenë se Drita, në atë kohë, ishte në Ligën e Dytë dhe për shkak të rregullores së brendshme, nuk ka pasur mundësi të kalojë në ligat më të larta, gjë që e ka penalizuar edhe në aspektin e sponsorizimit.”
Megjithatë, sipas kryetarit Hyseni, ky sezon pritet të sjellë ndryshime të mëdha.
“Këtë vit, situata është ndryshe. Ka më shumë kohë dhe besoj që me fillimin e sezonit të ri, Drita, përveç Superligës, mund të jetë edhe pjesë e Ligës së Parë. Pronari i klubit, përveç seriozitetit dhe punës që bën, ka edhe kapacitete financiare që Dritën ta shndërrojë në njërin prej klubeve më të suksesshme në Kosovë — dhe besoj se kjo edhe do të ndodhë”.
Drita në edicionin e fundit mbeti jasht garave dhe kjo krijoi shqetësim të madh në komunitetin e basketbollit në Gjilan dhe mbarë Kosovën, por të shohim nëse këtë vit do të ketë zhvillime pozitive pasi Drita është një prej klubeve të mëdha dhe më me traditë në basketbollin tonë. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.