Basketboll

Kosova U18 (femrat) pëson humbjen e tretë në Evropianin Divizioni B – mposhtet nga Islanda

Përfaqësuesja U18 e vajzave të Kosovës ka pësuar humbjen e tretë radhazi në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që po zhvillohet në Vilnius të Lituanisë. Në përballjen e sotme, vashat kosovare u mposhtën nga Islanda me rezultat 50:82, në një ndeshje që pati dy fytyra të ndryshme.

Kosova e nisi ndeshjen në mënyrë të barabartë dhe luftarakisht, duke qëndruar pranë në rezultat gjatë pjesës së parë, e cila u mbyll me shifrat 32:35 në favor të Islandës. Megjithatë, në pjesën e dytë, loja mori një kthesë të madhe, me përfaqësuesen islandeze që dominoi në të gjitha aspektet, ndërsa lodhja fizike dhe mungesa e përgatitjes së duhur te lojtaret tona u reflektuan qartë në rezultat.

Malvina Haziri ishte më e dalluara në radhët e Kosovës, duke shënuar 16 pikë, ndërsa Gerta Hoti kontribuoi me 12 pikë, duke qenë dy lojtarët e vetme me pikë dyshifrore në këtë takim.

Pas tri ndeshjeve të zhvilluara, Kosova regjistron po aq humbje në këtë kampionat. Sfida e radhës për Përfaqësuesen tonë do të jetë më 8 korrik, ndaj Bosnje e Hercegovinës, ku pritet një përpjekje për rikthim dhe paraqitje më të mirë. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.