Basketboll

E ardhmja e Lekndreajt ende e paqartë, shumë oferta në drejtim të tij

Njëri nga basketbollistët më të vlerësuar vendorë në Superligën e Kosovës, Daniel Lekndreaj, po kalon një periudhë të nxehtë në tregun e transferimeve.

Burime të besueshme për redaksinë tonë bëjnë të ditur se ai është kontaktuar pothuajse nga të gjitha skuadrat e elitës së basketbollit kosovar, të cilat po garojnë për shërbimet e tij në prag të sezonit të ri.

Lekndreaj, i cili sezonin e fundit ishte pjesë e KB Prishtinës, si zakonisht ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme me paraqitjet e tij. Me lojën e tij të vendosur, shpirtin luftarak dhe angazhimin maksimal në çdo ndeshje, ai është dalluar si një nga lojtarët më të qëndrueshëm dhe të përkushtuar në parket.

Pavarësisht interesimit të madh, Lekndreaj ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij. Sipas burimeve, ai po i shqyrton me kujdes të gjitha opsionet që i janë paraqitur dhe nuk përjashtohet as mundësia që të mbetet në Prishtinë, edhe pse klubet rivale janë duke ofruar kushte joshëse për ta bindur që të bashkohet me ta.

Transferimi i radhës i Daniel Lekndreajt mbetet ndër më të përfolurit e kësaj vere në basketbollin kosovar. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.