Basketboll

Golden Eagle Ylli nis një kapitull të ri me strukturë të re menaxhuese dhe objektiva të qarta për sukses

Klubi i basketbollit Golden Eagle Ylli ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit, duke u pozicionuar si një organizatë me vizion profesional dhe qasje të strukturuar drejt sukseseve të qëndrueshme.

Pas dy sezoneve sfiduese të shoqëruara me disa sanksione nga FIBA, klubi ka arritur të rikthejë stabilitetin dhe tashmë po ndërton një ekip të fuqishëm për të ardhmen.

AsistiOnline.com ka mësuar se përpos investimeve të shumta dhe rikthimit të një klubi model, drejtuesit e klubit kanë rikthyer në strukturë drejtuese edhe njerëz që për vite me rradhë i kanë shërbyer klubit në forma të ndryshme vullnetare dhe profesionale dhe e njohin mirë punën drejt suksevee.

Sa i përket ekipit, në krye të këtij transformimi qëndron trajneri i ri, greku me përvojë të madhe Fotis Takianos, një emër i njohur për basketbollin kosovar, i cili do të udhëheqeë ekipin drejt një identiteti të ri garues.

Një nga prioritetet e stafit të ri drejtues ka qenë ruajtja e bërthamës vendore të ekipit. Klubi ka vazhduar kontratat me të gjithë lojtarët vendorë nga sezoni i kaluar, duke përfshirë (Lis Shoshin, Jan Palokajn, Gëzim Morinën, Artin Gashin dhe Arian Qallakun) dhe garantuar vazhdimësi e stabilitet në skuadër.

Në mesin e lajmeve më të rëndësishme që priten këtë javë është edhe transferimi i shumëpritur i Erjon Kastratit nga Trepça, një nga figurat më të dashura për tifozët suharekas, që pritet të sjellë përvojë dhe lidership në ekip.

Ky edicion është i veçantë për Golden Eagle Yllin, pasi shënohet 50-vjetori i themelimit të klubit, një moment jubilar që drejtuesit duan ta kurorëzojnë me sukses dhe përfaqësim dinjitoz në të gjitha garat.

Klubi është i vendosur të rikthehet në maje të basketbollit kosovar, me një qasje profesionale, një staf të përkushtuar dhe përkrahjen e pandalshme të tifozëve “Xhebrailat”. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.