Kosova U20 mposhtet nga Zvicra, nuk arrin gjysmëfinalen e Evropianit – Divizioni B
Kosova U20 në konkurrencën e meshkujve ka pësuar humbje në çerekfinalen e Kampionatit Evropian – Divizioni B, duke u mposhtur nga Zvicra me rezultat 72-61.
Në një ndeshje ku fitorja do të përfaqësonte kualifikimin historik në gjysmëfinale për këtë gjeneratë, djemtë tanë nuk arritën të konkretizojnë mundësinë ideale për të hyrë në mesin e katër kombëtareve më të mira të turneut.
Pavarësisht angazhimit dhe përpjekjeve në parket, performancat e mira individuale nga Arlind Konjuhi dhe Rron Dahsyla, që realizuan nga 13 pikë secili, nuk mjaftuan për ta dërguar Kosovën drejt suksesit. Zvicra shfrytëzoi më mirë momentet kyçe të takimit dhe ruajti epërsinë në periudha vendimtare të lojës.
Kjo humbje i pamundëson Kosovës një arritje të madhe – kualifikimin për herë të parë në histori në gjysmëfinale të një niveli të tillë evropian për gjeneratën U20. Megjithatë, rrugëtimi në kampionat nuk përfundon këtu.
Kosova do të përballet nesër me Britaninë e Madhe në ndeshjen për renditje nga pozitat 5 deri në 8, duke synuar një përmbyllje sa më dinjitoze të këtij kampionati.
Pavarësisht rezultatit, paraqitjet e kësaj gjenerate janë një dëshmi e progresit dhe potencialit të basketbollit kosovar në arenën ndërkombëtare. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.