I pari i FBK-së paralajmëron risi për shikuesit e basketbollit kosovar
Arben Fetahu po paralajmëron risi për shikuesit që do të vijnë për ti parë ndeshjet e basketbollit në palestra.
Numri një Federatës së Basketbollit të Kosovës deklaroi dje në Duelin Sportiv se si institucion që ai drejton, po përpiqen që nga ky edicion që po vjen, shikuesit ti blejnë biletat online.
”Sivjet do t’i kemi disa risi për shikues, jemi duke u përpjekur që ta bëjmë tiketingun online, që të mund ta blesh ti biletën e caktuar me ulësen tënde, që të mos kesh nevojë që të vish 1 orë para ndeshjes që ta zësh vendin, që të mos kemi ato radhët e mëdha për blerje të biletave gjithandej në Kosovë. Që të mos e detyrojmë tifozin që të vijë dy herë deri te palestra, 1 herë për me ble bileten dhe pastaj për me hy prapë. Që të krijojmë mekanizma të tjerë të sigurisë për tifozët tanë brenda.
Megjithëse duhet thënë se përvoja e vitit të kaluar ka qenë e jashtëzakonshme, por jemi duke u munduar ta rregullojmë edhe më shumë, sepse ne duam të kemi edhe më shumë tifozë. Ne jemi sporti më i shikuar në Kosovë, aty diskutim nuk ka, jemi sporti më i dashur në Kosovë, aty diskutim nuk ka. Është në neve që si pionierë të kësaj pune të krijojmë mekanizma shtesë për shikuesin tonë, me ju siguruar atyre edhe një përvojë më të mirë, kur vijnë në palestër sesa që e kanë deri tash, dhe po mendojmë se me këtë do ta rrisim edhe më tej nivelin e shikueshmërisë ose së paku do të kemi mundësi që të gjithëve t’ju ofrojmë një mjet tjetër për të ardhur në palestër edhe pak më lehtë”, potencoi Fetahu.
Komentet janë të mbyllura.