Basketboll

Fetahu e pranon se pati gabim në gjykim në gjysmëfinalen Trepça-Prishtina, tregon pse nuk u morën masa

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës Arben Fetahu e ka pranuar se në ndeshjen e tretë gjysmëfinale të këtij edicioni, Trepça-Prishtina, ka pasur gabim nga gjyqtarët.

Në emisionin televiziv Dueli Sportiv, Fetahu tregoi edhe arsyjet se pse nuk u dënuan gjyqtarët e takimit.

“Unë e di për një ndeshje në të cilën ka pasur vërejtje sa i përket referimit, dhe aty kanë qenë referë të huaj. Me ju thënë të drejtën, vërejtja ka qenë me vend, gabim ka pasur në atë ndeshje – ka qenë në favor të Trepçës. Në realitet, ka qenë për shkak se është pranuar një treshe e cila nuk është dashur të pranohej, për shkak se ndoshta 1 apo 2 të qindtat e sekondës e ka pasur më gjatë topin në dorë.

Problemi kryesor nuk ka qenë që pranuar treshja në momentin e asaj, problemi kryesor ka qenë që nuk është shfrytëzuar sistemi i IRS-VAR, për të parë nëse ka qenë apo jo kosh. Këtu kemi pasur të bëjmë me 3 referë të huaj. Në realitet, arsyeja pse ekipi i cili është ankuar për këtë punë nuk është dënuar, është sepse vlerësimin e gjyqtarëve nuk guxon ta bëjë askush publikisht, asnjë prej ekipeve. Vlerësimi i gjyqtarëve i mbetet Federatës ta bëjë.

Arsyeja pse nuk është ndëshkuar ka qenë fakti që vërejtja ka qenë me vend, ndërsa mënyra e të vepruarit nuk ka qenë me vend. Nuk mund të bëhet një postim i tillë, nuk mund të bëhet një akuzë e tillë për diçka të tillë – atë nuk mund ta pranoj – por vërejtja ka qenë me vend”, deklaroi Fetahu.

I pyetur nga moderatorja se për cilën ndeshje bëhet fjalë, Fetahu u përgjigj se ka qenë ndeshja e tretë gjysmëfinale në serinë mes Trepçës dhe Prishtinës. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.