Basketbollisti me prejardhje shqiptare, Edon Maxhuni, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke firmosur me klubin e njohur francez Gravelines Dunkerque, pjesë e elitës së basketbollit francez.
Ky transferim shënon një rikthim në Francë për 27-vjeçarin, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Strasbourgit, ndërsa gjatë po atij sezoni kishte një aventurë të shkurtër edhe në kampionatin italian me Scafati Basket. Maxhuni vjen në Gravelines pas një përvoje të rëndësishme në Superligën turke me ekipin e Karsiyakës, ku luajti rol kyç në mbijetesën e skuadrës në elitën e basketbollit turk.
Ky është klubi i tretë francez në karrierën e Maxhunit, pas aventurave të mëparshme me Le Portel dhe Strasbourg. Përveç këtyre, ai ka luajtur edhe në Bundesligën gjermane me Crailsheim Merlins, në kampionatin holandez me Heroes Den Bosch, në Estoni me Pärnu Sadam dhe në Spanjë me Gran Canaria B.
Aktualisht, Maxhuni ndodhet në grumbullim me kombëtaren e Finlandës, me të cilën do të marrë pjesë në Eurobasket 2025, i cili nis pas pak ditësh. Kjo edicion i kampionatit më të madh evropian të basketbollit për shtete do të organizohet edhe nga Finlanda, një prej vendeve mikpritëse të turneut.
Transferimi te Gravelines Dunkerque pritet të jetë një hap i rëndësishëm për Maxhunin, i cili me përvojën e tij ndërkombëtare dhe aftësitë në pozicionin e organizatorit të lojës, synon të ndihmojë ekipin të rikthehet në majat e basketbollit francez. /AsistiOnline.com/