Letonia është një nga katër nikoqirët e EuroBasket 2025. Fituesja e kampionatit të parë Evropian (1935) do të hyjë në këtë edicion me një mision të qartë – të shkruajë histori në shtëpi. Që nga viti 1993, asnjë kombëtare nikoqire nuk ka arritur të shpallet kampione evropiane, por atmosfera në Riga premton të jetë një faktor shtesë për djemtë e trajnerit Luca Banchi që do të provojnë ta befasojnë krejt kontinentin.
Fakti që kjo kombëtare dështoi të kualifikohej në EuroBasket 2022, pasi ishte paraqitur në 9 edicione rresht, ishte zhgënjyes për ta. Ndonëse u kualifikuan automatikisht sivjet, duke qenë vend mikpritës, letonët i kanë fituar të gjitha ndeshjet e tyre në kualifikimet e rregullta për të dëshmuar se e kanë merituar të kthehen në ajkën e ekipeve evropiane.
Letonia mirëpret Grupin A, pjesë e së cilit do të jenë edhe: Portugalia, Turqia, Serbia, Republika Çeke dhe Estonia.
Skuadra e zgjeruar:
Davis Bertans, Dairis Bertans, Klavs Cavars, Andrejs Grazulis, Kristaps Kilps, Rodions Kurucs, Arturs Kurucs, Martins Laksa, Rihards Lomazs, Mareks Mejeris, Kristaps Porzingis, Karlins Silins, Toms Skuja, Rolands Smits, Marcis Steinbergs, Arturs Zagars, Kristers Zoriks.

Ylli i ekipit – Kristaps Porzingis
Një nga lojtarët më dominues në botën e basketbollit është kthyer ta ndihmojë kombëtaren e tij. Pasi fitoi titullin në NBA me Boston Celtics në vitin 2024, ai këtë verë kaloi te Atlanta Hawks dhe tash, si 30-vjeçar me shumë përvojë, do të jetë edhe njëherë lideri absolut i Letonisë.
“The Unicorn” ka luajtur vetëm një FIBA EuroBasket deri më tani, në vitin 2017. Ishte një edicion për t’u mbajtur mend, ku ai mesatarisht shënoi 23.6 pikë dhe kapi 5.9 kërcime për ndeshje, por Letonia u detyrua të kënaqej me vendin e pestë, pasi u mund nga Luka Dončić dhe Sllovenia në çerekfinale.
Porziņģis zhvilloi edhe dy ndeshje të tjera për kombëtaren në vitin 2023, duke ndihmuar ekipin të sigurojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës me 51 pikë, 28 kërcime dhe 6 bllokada në dy ndeshje.

Trajneri
Italiani Luca Banchi është trajneri që e ka kthyer Letoninë në një nga historitë më të bukura të basketbollit evropian. I emëruar në vitin 2021, ai e udhëhoqi ekipin drejt një paraqitjeje sensacionale në FIBA World Cup 2023, ku Letonia përfundoi në vendin e pestë në debutimin e saj.
I njohur për taktikat inteligjente, menaxhimin e qetë të lojës dhe aftësinë për të nxjerrë maksimumin nga çdo lojtar, më parë ai ka drejtuar ekipe elitare si Montepaschi Siena, Olimpia Milano, AEK Athens dhe së fundmi Anadolu Efesin, duke fituar tituj kampion dhe duke lënë gjurmë në EuroLeague.
Në EuroBasket 2025, ai do ta ketë për herë të parë në dispozicion për një turne madhor, yllin e ekipit Kristaps Porzingis.

Orari i ndeshjeve:
27 gusht: vs Türkiye (17:00 CET)
29 gusht: vs Estonia (17:00 CET)
30 gusht: vs Serbia (17:00 CET)
1 shtator: vs Portugalia (17:00 CET)
3 shtator: vs Republika Çeke (17:00 CET) /AsistiOnline.com/




