Qindra qytetarë u mblodhën në sheshin e Mitrovicës së Veriut, për ta përcjellur “StreetBall”-in i cili u organizua për herë të parë në këtë qytet.
Policia e Kosovës monitoronte ndeshjen që po mbahej afër Urës së Ibrit.
Organizimi është mbështetur nga Komuna, Federata e Basketbollit të Kosovës dhe basketbollisti, Drilon Hajrizi.
Për Kallxo.com foli Hajrizi i cili tha se ideja qe e kahmotshe teksa realizimi kaloi pritshmëritë.
“Është event që ka qenë ëndërr e kahmotshme e imja. Jam krenar që e kam marr këtë iniciativë, bashkë me komunën, sponzorët e FBK-në. Jam falënderues deri në qiell. Falënderoj edhe policinë që vazhdojnë të kontribuojnë në sigurinë e këtij vendi. StreetBall-i kalu pritshmëritë e mia”- tha ai.
Ekipe nga e gjithë Kosova, nga Prizreni, Skenderaji e Prishtina u bën bashkë në Mitrovicë të Veriut, dhe ekipi fitues do të shpërblehet me 2 mijë euro.
Të pranishëm ishin edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nënkryetari njëherit kandidati për kryetar në Mitrovicë të Jugut, Arian Tahiri.
Sveçla e Tahiri të veshur me fanelat e Trepçës u bënë pjesë e ndeshjes.