KB Prishtina ka prezantuar amerikanin Adrio Bailey si përforcimin më të ri për sezonin e ardhshëm.
Lojtari 28-vjeçar, i lindur në Campti të Louisianës, luan në pozitat 4/5 dhe vjen nga kampionati çek, ku sezonin e fundit ishte pjesë e Ostravës. Bailey është dalluar si një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke përfunduar sezonin 2024/25 me mesatare prej 14.1 pikësh, 6.7 kërcimesh, 1.7 asistimesh, 1.6 topa të vjedhur dhe 0.8 bllokada për ndeshje, shifra që dëshmojnë ndikimin e tij në të dy anët e parketit.
Edhe më herët, Bailey kishte lënë gjurmë në ligën çek me Olomoucko Prostejov, ku shënoi mesatarisht 14.3 pikë dhe 8.8 kërcime në NBL, ndërsa në garën ndërkombëtare Alpe–Adria Cup regjistroi mesatare të larta prej 19.0 pikësh dhe 7.5 kërcimesh për ndeshje. Karrierën universitare e kishte zhvilluar në Arkansas Razorbacks, ku u shqua për lojën e tij fizike dhe mbrojtjen e fortë.
Me përvojën e tij ndërkombëtare dhe prezencën e fuqishme nën kosh, Adrio Bailey pritet të jetë një nga shtyllat kryesore të KB Prishtinës në sezonin e ri. /AsistiOnline.com/


