Klubi i Borës sivjet pritet të ketë një fillim të zjarrtë të muajit shtator me zhvillimin e ndeshjeve miqësore kundër dy skuadrave të njohura të rajonit.
Në kryeqytet do të vijnë Rilski Sportist (30 gusht), kampion aktual i Bullgarisë, si dhe MZT Skopje (06 shtator), pjesëmarrëse e rregullt në ABA Ligë dhe kampione e Maqedonisë së Veriut në shtatë vitet e fundit.
Dy emra të mëdhenj të basketbollit ballkanik që do të përballen me Borën në prag të sezonit të ri, duke i dhënë ekipit të drejtuar nga trajneri Lubomir Minchev një provë të fortë dhe të vlefshme. Minchev, i cili merr drejtimin e skuadrës këtë vit, ka objektiv të qartë: arritjen e play off-it në Superligën e Kosovës… dhe jo vetëm.
Përveç këtyre miqësoreve të rëndësishme në Prishtinë, Bora do të marrë pjesë edhe në Turneun Ndërkombëtar “Bobi Petkovski 2025”, i cili mbahet nga 9 e 10 shtator në Gjevgjeli të Maqedonisë së Veriut. Në këtë aktivitet prestigjioz do të marrin pjesë edhe skuadra e famshme turke Karsiyaka, si dhe dy ekipet maqedonase, Rabotniçki dhe Kozuv, duke i ofruar Borës një tjetër mundësi për t’u matur me kundërshtarë të nivelit ndërkombëtar.
Kështu, shtatori shënon fillimin e një rruge të re për Borën – me përballje të forta, synime ambicioze dhe përgatitje serioze për një sezon që pritet dhe mund të jetë i veçantë për ta. /AsistiOnline.com/