Under Header

spot_img

Ekskluzive – Lojtari i parë finlandez në NBA, intervistohet nga AsistiOnline

spot_img
spot_img

Hanno Möttölä është një prej figurave më të rëndësishme të basketbollit finlandez.

Në vitin 2000, ai bëri histori duke u bërë lojtari i parë nga Finlanda që luajti në NBA, me fanellën e Atlanta Hawks. Pas një karriere të gjatë në ligat më të forta të Evropës, ai u kthye në vendlindje për t’u përkushtuar te zhvillimi i talenteve të rinj përmes HBA Märsky, akademisë së famshme të basketbollit në Helsinki. Nën drejtimin dhe ndikimin e tij, brezi i ri i basketbollistëve finlandezë si Lauri Markkanen, Mikael Jantunen dhe Edon Maxhuni ka arritur në nivelet më të larta të basketbollit botëror.

Në një bisedë ekskluzive për AsistiOnline.com, Möttölä flet për lidhjen e tij me Edon Maxhuni, progresin e basketbollit finlandez, përvojën si trajner dhe pritjet për Eurobasket 2025.

Ju si pionier i basketbollit finlandez dhe Edon Maxhuni si një nga liderët e Susijengi-t përfaqësoni dy epoka të ndryshme. Cila është lidhja mes jush?

”Mendoj se gjithçka fillon me dashurinë për lojën. Qysh herën e parë që e kam parë Edonin në palestër, e kam ditur se ai e do basketbollin. Unë kam filluar të luaj në moshën 6-vjeçare dhe ende jam pranë basketbollit çdo ditë. Edoni dhe unë jemi dy lojtarë ekiporë, që duam të luajmë për të tjerët dhe të përfaqësojmë basketbollin kolektiv, brenda dhe jashtë fushe. Po ashtu, kam pasur privilegjin ta stërvis për katër vjet në shkollën e mesme, pastaj në akademi, në ekipin zinxhir të kombëtares dhe tani në Kombëtare për gjashtë vitet e fundit. Është rritur nga tinejxher në burrë dhe për mua është ndjenjë e madhe si trajner”.

Ju jeni parë gjithmonë si një strateg dhe mësues i qetë, ndërsa Edon Maxhuni shihet si lider i zjarrtë në parket. Si do ta përshkruanit Edonin?

“Mendoj se jemi personalitete të ndryshme, por Edoni është shumë krenar për atë që bën. Ai gjithmonë mundohet të përmirësohet dhe mëson nga gabimet, që është forca e tij. Vështirë se e sheh ta bëjë dy ndeshje të dobëta rresht. Kjo është cilësi e lojtarëve të mëdhenj, të cilët kanë vetëbesim dhe dinë të reagojnë. Me kalimin e viteve, ai ka fituar pjekuri, gjë që shihet në vendimet që merr në fushë. Kur ishte më i ri, rrezikonte më shumë, ndërsa tani përvoja i ka sjellë stabilitet dhe performanca më të mira”.

Pas një karriere të gjatë në NBA dhe Evropë, ju u përkushtuat te HBA Märsky. Sot, brezi i ri me Markkanen, Jantunen dhe Maxhuni po shkëlqen. Si u ndërtua ky sistem?

“Struktura është vendosur nga njerëz më të mençur se unë, por unë pata mundësinë të jem trajner në akademinë e Helsinkit shumë vite më parë. Kjo ishte një mundësi e madhe dhe një përgjegjësi për të ndërtuar krenari te lojtarët tanë. Synimi im ka qenë gjithmonë t’i bëj krenarë lojtarët finlandezë dhe t’i bashkoj më të mirët për t’u zhvilluar përpara. Shumë prej tyre kanë vazhduar në liga të forta. Sigurisht, nuk mund të shndërrosh çdo lojtar në elitë — nuk ka trajner që bën mrekulli të tilla — por ajo që mund të bëjmë është të krijojmë një sistem të qëndrueshëm. Prej vitit 2012 gjërat kanë ndryshuar shumë, por ideologjia ka mbetur e njëjtë: të ndërtojmë një program ku të rinjtë të kalojnë nga shkolla e mesme drejt kombëtares”.

Finlanda ka bërë hapa të mëdhenj në arenën ndërkombëtare. Si e shihni pjesëmarrjen e rregullt në Eurobasket?

“Tashmë janë gjashtë edicione rresht që jemi pjesë e Eurobasket. Prej vitit 2011 nuk kemi munguar asnjëherë. Kjo tregon stabilitet dhe rritje si kombëtare”.

Këtë vit nisët me tri fitore radhazi, por më pas humbët nga Lituania. Çfarë ndodhi në atë ndeshje?

“Mendoj se u goditëm në fillim nga ata dhe nuk arritëm të mbajmë ritmin e lojës. Ishte një mësim i mirë për ne. E lejuam Lituaninë të shfrytëzojë pikat e saj më të forta: shpejtësinë, lojën e shpejtë dhe mbrojtjen agresive”.

Në momentin që po bisedojmë, ende nuk e keni zhvilluar ndeshjen me Gjermaninë. Cili është parashikimi juaj?

“Do të përballemi me kampionin e botës dhe kjo është një sfidë e madhe. Ne do të japim gjithçka para tifozëve tanë. Nuk kemi nevojë për motivim shtesë, sepse e dimë shumë mirë me kë përballemi. Do të përqendrohemi në atë që mund të kontrollojmë kundër Gjermanisë dhe pastaj do të shkojmë në Riga për të parë me kë do të luajmë në fazën tjetër”, mbyll deklarimin legjenda finlandeze e basketbollit.

Nga një pionier në NBA, në arkitekt të gjeneratës së re të basketbollit finlandez, Hanno Möttölä ka ndërtuar një trashëgimi që do të mbahet mend gjatë. Lojtarët që ai ka ndihmuar të rriten, tashmë po shkëlqejnë në NBA dhe Euroleague. Dhe, siç thotë vetë ai, sfida vazhdon: të mbahen standardet e larta dhe të vazhdohet përpara me të rinjtë që vijnë. /AsistiOnline.com/

Per tu lexuar

spot_img
spot_img

Të ngjajshme