Në EuroBasket 2025 po shkruhet një kapitull i veçantë për basketbollin finlandez dhe një nga protagonistët kryesorë është Edon Maxhuni.
Organizatori shqiptar i “Susijengi”-t ka mahnitur publikun me gjuajtjet e tij të sakta nga distanca dhe 2 xhiro para fundit të turneut është lojtari më i saktë për tri pikë.
Me 57.1% efikasitet nga vija e treshit, Maxhuni është lider absolut në këtë kategori, duke u kthyer në një armë vendimtare për Finlandën në rrugëtimin historik drejt gjysmëfinales së EuroBasket-it.
Përveç përqindjes së lartë, ai ka mesatarisht 8.6 pikë për ndeshje, duke kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në suksesin e ekipit.
Në parket, Maxhuni nuk shquhet vetëm për rezultatet, por edhe për stilin e tij karizmatik – pas çdo tripikëshi, feston duke dërguar puthje drejt tribunave, një gjest që është kthyer në simbol të këtij EuroBasketi.
Finlanda tashmë po jeton ëndrrën e saj më të madhe në basketboll, dhe forma e Maxhunit është një nga arsyet pse “Susijengi” po shkruan histori. /AsistiOnline.com/