Eurobasketi i 42-të ka hyrë në histori si më kualiteti i dhe më interesanti ndonjëherë.
Për herë të parë, nga 24 kombëtare pjesëmarrëse, plot 20 prej tyre treguan se mund të mposhtin këdo, duke sjellë befasi të njëpasnjëshme. Eliminimi i Spanjës, kampione aktuale, që në fazën e grupeve, si dhe largimi i Serbisë e Francës në çerekfinale nga Finlanda respektivisht Gjeorgjia, dëshmojnë shpërthimin e të ashtuquajturave shtete “të vogla” në basketboll.
Një nga këto histori suksesi është ajo e Finlandës, që me “Susijengin” – të njohur si “Ujqit e Borës” – ka shkruar faqe të re duke u kualifikuar për herë të parë në gjysmëfinale. Finlandezët mposhtën Gjeorgjinë e NBA yjeve Bitadze dhe Mamukelashvili, falë shfaqjes së shkëlqyer të treshes Mikael Jantunen (19 pikë, 5 kërcime), Lauri Markkanen (17 pikë, 6 kërcime, 4 bllokada) dhe Edon Maxhunit (15 pikë, 4 asistime, 2/2 treshe). Kontributi i kapitenit Sasu Salin ishte po ashtu i jashtëzakonshëm me 14 pikë dhe katër treshe vendimtare.
Të premten nga ora 16:00, Finlanda do të përballet me kampionët botërorë, Gjermaninë, që eliminuan Slloveninë dhe Luka Donçiçin. Në fazën e grupeve, gjermanët kishin fituar thellë ndaj finlandezëve, por këtë herë atmosfera është krejt tjetër: Finlanda është e çliruar, pa presion dhe e motivuar për të vijuar “mrekullinë” drejt finales së madhe.
Në anën tjetër, gjysmëfinalja tjetër është një klasik ballkanik i mbushur me histori: Turqia – Greqia. Dy përfaqësuese të cilat, ndonëse nuk ishin favoritët kryesorë, kanë dëshmuar forcë dhe stabilitet duke u ngjitur mes katër më të mirave.
Turqia, nën drejtimin e trajnerit të njohur Ergin Ataman, ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm, ku rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe dy shqiptarët: Kenan Spahiu nga Prishtina dhe Erxhan Osmani që dikur luante në KB Bashkimi të Prizrenit, të cilët kanë kontribuar dukshëm në sukseset e kombëtares turke.
Eurobasketi 2025, për shumëkënd tashmë “më i bukuri në histori”, po ofron spektakël, surpriza dhe emocione të papërsëritshme, duke treguar se basketbolli evropian ka hyrë në një epokë të re ku çdo gjë është e mundur. /AsistiOnline.com/