Kapiteni i Finlandës, Sasu Salin, ka folur ekskluzivisht për AsistiOnline.com pas humbjes së gjysmëfinales ndaj Gjermanisë në Eurobasket 2025.
Ai pranoi se kundërshtari ishte më i fortë dhe më i saktë në momentet vendimtare të ndeshjes.
“Gjermania bëri çka bën zakonisht dhe ne u treguam më pak agresivë se që duhej. Mendoj se e limituam numrin e pikëve të tyre nga kundërsulmet në pjesën e dytë, por nëse nuk ia fik dritat kundërshtarit me gjuajtje të sakta, atëherë kjo është ajo që ndodh. Nuk jemi ende në pikën për t’i mposhtur ata. Ne bëmë disa gjëra mirë, por ata ishin më të mirë se ne sot,” tha Salin.
Megjithatë, kapiteni finlandez mbetet i përqendruar te ndeshja për medalje të bronztë, e para në historinë e basketbollit të vendit të tij. “Diçka për të fituar. Mund të jemi të zhgënjyer me humbjen sot, por më e rëndësishme është ndeshja që po vjen. Do ta fitojmë të bronztën,” u shpreh Salin.
Finlanda, e cila ka shkruar histori duke u kualifikuar për herë të parë në gjysmëfinale të një Eurobasketi, tashmë synon medaljen që do të kurorëzonte rrugëtimin e jashtëzakonshëm të këtij edicioni. /AsistiOnline.com/




