Gjermania ka fituar titullin e dytë në historinë e saj në EuroBasket, nën drejtimin e Alan Ibrahimagić, i cili papritur mori rolin e trajnerit kryesor.
Tre ditë para nisjes së kampionatit, trajneri Alex Mumbru përfundoi në spital për shkak të dhimbjeve të forta barkut, dhe Federata Gjermane ia besoi stolin Ibrahimagić-it, që deri atëherë ishte asistent. Ai udhëhoqi Gjermaninë deri në finale dhe më pas drejt triumfit historik.
Ibrahimagić ka një histori të veçantë personale. Ai ka lindur në vitin 1978 në Beograd, në kohën kur nëna e tij studionte atje, por fëmijërinë e kaloi në Zvornik. Ngjarjet e luftës e detyruan të shpërngulet në Gjermani në vitin 1992, ku u vendos në Berlin.
Si lojtar, ai filloi me VfB Hermsdorf dhe më pas u aktivizua me TuS Lichterfelde në ligën e dytë gjermane, përpara se të kalonte disa vite në Australi. Në vitin 2004 u rikthye në Gjermani, ku nisi karrierën si trajner, fillimisht me të rinjtë dhe më pas me ekipin e seniorëve.
Në vitin 2011, Alba Berlin e angazhoi si ndihmës trajner, ndërsa në vitin 2013 Federata Gjermane e Basketbollit i besoi drejtimin e ekipeve të moshave. Me Gjermaninë U20 ai fitoi medalje bronzi në Evropë më 2018 dhe 2019, ndërsa në vitin 2024 e shpalli kampione Evropiane U18. Vetëm pak muaj më parë, në qershor 2025, e drejtoi Gjermaninë U19 drejt medaljes së argjendtë në Botëror.
Si pjesë e stafit të kombëtares A, Ibrahimagić ka qenë gjithashtu një hallkë e rëndësishme e suksesit të Gjermanisë në Kupën e Botës 2023, kur gjermanët mposhtën Serbinë në finale. Tashmë, në rolin e trajnerit të parë, ai i ka dhënë vendit të tij një tjetër trofe madhor, duke hyrë në histori si njeriu që e mori drejtimin në momentin më të vështirë dhe e përfundoi rrugëtimin me medaljen e artë në EuroBasket 2025. /AsistiOnline.com/


