Under Header

spot_img

Greqia fiton medalje në EuroBasket pas 16 vitesh, mposht Finlandën që bëri arritje historike

spot_img

Greqia është rikthyer te medaljet pas 16 vitesh pritje, duke triumfuar në duelin për vendin e tretë në EuroBasket 2025 ndaj Finlandës me rezultat dramatik 92-89.

Ishte një sfidë që u vendos vetëm në sekondat e fundit, ku 4 sekonda para përfundimit rezultati u ngushtua në vetëm 1 pikë diferencë dhe Finlanda pati mundësinë ta përmbyste ndeshjen. Pas humbjes së gjuajtjes së tretë të lirë nga Elias Valtonen – i cili kishte shënuar dy të parat – Mikael Jantunen pati një rast të artë afër koshit, por nuk arriti të finalizojë, duke lënë medaljen e bronztë në duart e Greqisë.

Për helenët, ylli i NBA-së Giannis Antetokounmpo shkëlqeu me 30 pikë, ndërsa Tyler Dorsey shtoi 20 të tjera.

Nga ana e Finlandës, nuk mjaftuan Lauri Markkanen me 19 pikë dhe Elias Valtonen me 18, në një performancë që megjithatë i dha vendit të katërt – rezultatin më të mirë në historinë e saj në kampionatet evropiane.

Me këtë fitore, Greqia pasuron listën e arritjeve në EuroBasket: dy medalje ari (1987, 2005), një medalje argjendi (1989) dhe tani tre medalje bronzi (1949, 2009, 2025).

Ky sukses shënon një moment historik për basketbollin grek, ndërsa për Finlandën vendi i katërt mbetet një arritje e madhe dhe dëshmi e progresit të saj në skenën evropiane. /AsistiOnline.com/

Per tu lexuar

spot_img

Të ngjajshme