Selektori i Kombëtares së Bosnjë dhe Hercegovinës, njëherazit edhe trajner te ekipi kosovar Trepça, Adis Beçiragiq ka shpërthyer publikisht ndaj lojtarëve që refuzuan të bashkohen me ekipin kombëtar që ai drejtoi në EuroBasket 2025, duke vënë në pikëpyetje patriotizmin e tyre dhe duke i quajtur “humbës” dhe “plehra”.
”Beça” ishte rikthyer në vend pas përfundimit të EuroBasketit, ku Bosnja dhe Hercegovina kaloi fazën e grupeve (të zhvilluar fillimisht në Qipro dhe më pas në Letoni), por u eliminua në çerekfinale nga Polonia.
Në paraqitjen e tij të parë publike pas turneut, në emisionin e televizionit Hajat TV, ai u shpreh i pasigurt nëse do të qëndrojë apo jo në krye të pankinës së kombëtares, dhe ndërkohë kritikoi ashpër lojtarët që nuk pranuan të luanin për përfaqësuesen.
Sipas tij, nga 24 lojtarët e thirrur në listën e zgjeruar, vetëm 12 u paraqitën për fazën përgatitore.
”Jam i mërzitur me trajnerin, nuk dua të luaj.’ Çfarë miu je ti? Çfarë humbësi je? Çfarë patrioti je ti? Zemërohesh me trajnerin, braktis ekipin dhe refuzon të luash. Këta janë humbës dhe plehra,” – deklaroi trajneri boshnjak.
Ai shtoi se flet me të drejtë, pasi edhe vetë ka kaluar nëpër situata të vështira:
“Kam pasur plot arsye të mërzitem, kam pasur mundësi të shes veten për para njëqind herë, por nuk e kam bërë”..
Para EuroBasket-it, ai kishte bërë përpjekje të shumta për të sjellë në ekip Emir Sulejmanovic, Nihad Dedovic dhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm, por pa sukses.
Ndërkohë, gjatë turneut, Xavier Castaneda dhe Dzanan Musa u dëmtuan, ndërsa FIBA nuk e lejoi Luka Garza-n të luante si lojtar vendor.
Bekir theksoi se lojtari i vërtetë patriot nuk largohet kur situata vështirësohet:
“Patrioti boshnjak tregohet kur të gjithë ikin, por ti qëndron. Kur të gjithë i shmangen armës, ti e merr armën. Kur shteti të thotë të luash, ti shkon e luan. Nuk pyet nëse hoteli ka pesë yje apo një krevat hekuri. Kur të ofrojnë para për të braktisur vendin tënd, ti thua jo – qëndroj me shtetin tim.”
Ai përmendi edhe një moment prekës personal, duke e përmbyllur me një mesazh të ashpër ndaj kritikëve:
“Kur ti varros nënën tënde – njeriun më të rëndësishëm në jetën tënde – dhe 20 orë më vonë zbret në parket në Kampionatin Evropian, pa treguar dhimbjen që ndjen, dhe udhëheq kombëtaren tënde… atëherë mund të flasësh”.
“Për këtë arsye, gjithë këta plehra, frikacakë, humbësa dhe primitivë – që s’kanë qenë kurrë as dy për qind në situatat që kam qenë unë – unë mund t’ua them hapur: unë jam krejt i qetë,” përfundoi Beçiragiq.


