Trepça të hënën nis aventurën e saj në Basketball Champions League, ku në Samokov të Bullgarisë përballet me kampionët e Holandës, Den Bosch Heroes.
Përpara këtij dueli, lojtari i ri i gjelbërve, Adnan Arslanagić, ka folur për AsistiOnline.com, duke vlerësuar kundërshtarin dhe duke treguar se çfarë pret nga ndeshja.
“Duhet të fokusohemi më shumë te vetja sesa tek ata. Sigurisht që po shikojmë video dhe po përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Është një ekip i ri, ndërsa ne duhet të jemi versioni më i mirë i vetes sonë, të kuptojmë principet ofensive dhe defansive që trajneri dëshiron prej nesh dhe të punojmë mbi to”, tha Arslanagić.
Ai e njeh shumë mirë trajnerin Adis Bećiragić, me të cilin ka punuar në kombëtaren e Bosnjës për tre vite: “Tani e njoh mjaft mirë. Kemi pasur rastin të punojmë së bashku në kombëtare, kështu që e njoh mirë.”
Lidhur me përshtatjen e tij te Trepça, boshnjaku theksoi se çdo ditë është një hap përpara:
“Sigurisht që kemi pasur disa ditë së bashku me lojtarët vendorë. Tani është vetëm çështje kohe që të kalojmë më shumë kohë bashkë, të punojmë me detajet dhe principet që trajneri kërkon nga ne dhe të përmirësohemi si ekip.”
Në fund, ai dha edhe një përgjigje të thjeshtë, por shumë domethënëse, për mënyrën se si mund të mposhtet Den Bosch:
“Duhet të bëjmë atë që trajneri kërkon nga ne. Të gjithë duhet të jemi të së njëjtit mendim dhe ta zbatojmë në mënyrën më të mirë. E në fund, thjesht të shënojmë një pikë më shumë se ata”, tha me humor Arslanagić.
Trepça përballet me Den Bosch Heroes të hënën në ndeshjen hapëse të turneut kualifikues për FIBA Champions League në Bullgari. /AsistiOnline.com/




