Gjatë lansimit të programit strategjik “Basketbolli 3.0” nga Federata e Basketbollit të Kosovës, të mërkurën mbrëma, Aulona Muhadri është emëruar zyrtarisht si kapitenja e re e Kombëtares së Kosovës në basketboll.
Në fjalën e saj pas marrjes së këtij roli të rëndësishëm, Muhadri theksoi se për të basketbolli nuk ka qenë kurrë thjesht një lojë, por një pasion i thellë, një sfidë e vazhdueshme dhe një mënyrë për të shprehur përkushtimin dhe dashurinë për sportin.
“Si kapitene e Kosovës, për mua basketbolli nuk ka qenë asnjëherë vetëm lojë – ka qenë gjithmonë pasion, sfidë dhe mënyrë për të treguar atë që dimë më mirë: përkushtimin, energjinë dhe dashurinë për sportin,” u shpreh ajo.
Duke folur për projektin e ri “Basketbolli 3.0”, Muhadri e cilësoi atë si një fillim të ri për basketbollin kosovar dhe një mundësi për zhvillim të gjithanshëm të sportit. Ajo vlerësoi se ky program nuk është vetëm për lojën në fushë, por edhe për të frymëzuar, për të përfshirë të rinjtë dhe për të bashkuar komunitetin rreth basketbollit.
“Ky projekt është një hap i madh për të gjithë ne – lojtarët, klubet, tifozët dhe komunitetin. Basketbolli 3.0 është për të frymëzuar, për të bashkuar njerëz dhe për ta bërë çdo moment në parket të vlefshëm,” shtoi Muhadri.
Deri tani kapitene e Kosovës ishte Arbnore Përçuku.